Saturday, August 11, 2012

Ahmeti reagon ndaj kronikës në Alsat M


Bashkimi Demokratik për Integrim reagon ndaj përpjekjes, shpresojmë të paqëllimshme, për shtrembërim dhe intepretim volonter të deklaratës së sotme të Kryetarit, z. Ali Ahmeti, në kronikën e sotme të televizionit Alsat M në lidhje me përdorimin e gjuhës shqipe, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat si dhe Ligjin për Amnesti.
Kryetari Ahmeti në asnjë moment nuk u pyet nga gazetarja rreth përfaqësimit të maqedonasve, por u përgjigj rreth pyetjes për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve duke ftuar mediat ti referohen raporteve të institucioneve të pavarura, si Avokati i Popullit. Andaj, Kryetari Ahmeti nuk ka harruar të përmend numrin e maqedonasve, por nuk është pyetur. Kryetari Ahmeti gjithashtu theksoi që ka institucione ku përfaqësimi i shqiptarëve është minimal, por nuk mund të menjanohet fakti që numri i shqiptarëve në administratën shtetërore në 3 vitet e fundit është dyfishuar.
Sa i përket komentimit të qëndrimit të tij rreth interpretimit autentik të Ligjit për Amnesti, Kryetari Ahmeti sqaron se preokupimi personal i Kryetarit Ahmeti me këtë çështje nuk ka të bëjë me shqetësimin për fatin e tij personal, por me procesin e mbylljes së luftës së vitit 2001 në cilin kanë marrë pjesë elitat politike vendore dhe ndërkombëtare dhe është gjykuar si një çështje që ndikon drejtpërsëdrejti në stabilitetin e vendit. Kryetari Ahmeti asnëjherë nuk e ka vendosur fatin e tij personal para fatit të kombit, gjë që është dëshmuar me flijimin e tij deri në vetëmohim gjatë veprimtarisë mbi 30 vjeçare për kombin shqiptar.
Ftojmë përfaqësuesit e mediave për kryerje të detyrës së tyre me përgjegjësi dhe të përmbahen nga interpretimet e lira të deklaratave pasi që mund të gabohet në përshtypjet rreth asaj se çfar është thënë duke krijuar përshtypje e gabuar tek opinioni publik.
Kryetari Ahmeti respekton maksimalisht lirinë e të shprehurit dhe është në ballë të përpjekjeve për mbrojtjen e integritetit të gazetarëve, por njëkohësisht kërkon edhe korektësi në transmetimin e deklaratave dhe përmbajtje nga interpretimi në kronikat raportuese rreth ngjarjeve të ndryshme.
Njëkohësisht, Kryetari Ahmeti fton mediat që të vazhdojnë të luajnë rolin e partnerit konstruktiv dhe dobiprurës në avancimin e procesve shqiptare në Maqedoni.

No comments:

Post a Comment